Delegacioni i Kosovës në OKB ishte 18 anëtarësh

0
7

Nga Prishtina në New York për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kanë shkuar 18 persona, si pjesë e delegacioneve nga Presidenca, Qeveria dhe Ministria e Jashtme. Përveç takimeve të ndryshme, një pjesë të kohës e kanë kaluar duke e shijuar qytetin e madh, si ish shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj që është parë në një klub nate atje.

Edhe pse ka qëndruar disa ditë në New York, nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar për aktivitetin e Bashkim Smakajt atje, raporton KTV.

Por, ish-shefi i AKI-së, tani këshilltar i presidentit Thaçi, e ka shijuar kryeqendrën botërore maksimalisht.

Në një video Smakaj shihet në një prej klubeve të natës në zemër të New Yorkut, në Manhataan.

Ish-kryespiuni, pas largimit nga AKI-ja ka përfunduar në kabinetin e Thaçit, duke qenë gjithmonë njëri nga njerëzit e tij më të besueshëm.

Këshilltari i presidentit, Adil Behramaj, i ka thënë KTV-së se Smakaj ka udhëtuar në New York para delegacionit të Presidencës dhe e ka pasur për detyrë të lobojë për anëtarësimin në Interpol.

Kështu rezulton edhe në listën përfundimtare të atyre që kanë udhëtuar në New York, të cilën e ka siguruar KTV-ja. Emri i zotit Smakaj figuron bashkë me atë të Veton Elshanit nga Policia e Kosovës, ku shkruan se janë pjesë e ekipit për Interpol.

Në total, lista e atyre që kanë udhëtuar nga Prishtina është 18.

Presidentin Thaçi e kanë shoqëruar shefi i tij i stafit, Bekim Çollaku, këshilltari Artan Behrami, fotografi Astrit Ibrahimi, kurse asistentja ekzekutive Arlinda Ramadani – Selimi, është kujdesur për agjendën e Zonjës së Parë, Lumnije Thaçi.

Kryeministrin Ramush Haradinaj e kanë shoqëruar shefi i stafit, Avni Arifi, dhe këshilltarët Besnik Tahiri e Erolld Belegu, Meliza Haradinaj – Stublla dhe Donjeta Gashi.

Nga Ministria e Jashtme, ministrin e jashtëm Behgjet Pacolli e kishin shoqëruar këshilltarët, Mentor Nazarko, Amir Ahmeti e Muhamet Brajshori, kurse pjesë e ekipit ka qenë edhe Prindon Sadriu, drejtor në Ministrinë e Jashtme.

Vizita disaditëshe e delegacionit të madh kosovar është përshkruar me një sërë gafash të ministrit Pacolli dhe takime jo të rëndësishme të presidentit Thaçi.

Pika kulmore e vizitës ka qenë pritja e Haradinajt nga sekretari i Mbrojtjes, Mattis, me ç’rast ai ia ka dhënë mbështetjen qeverisë për shndërrimin e FSK-së në ushtri.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here