Dy palë hetime për rastin e gylenistëve, Thaçi kërcënohet se do të dërgohet dhunshëm për intervistë

0
90

Skandali institucional i deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi që 6 muaj ende nuk është zgjidhur. Kjo për shkak se Prokuroria Speciale e Kosovës ende është në hetime preliminare, por edhe Komisioni parlamentar Hetimor për rastin e Gylenistëve, ende nuk i ka intervistuar liderët që dyshohen të jenë fajtorë. Nga ana tjetër, avokati i njërit prej gylenistëve thotë për Express se ankesat lidhur me këtë çështje i kanë bërë në prill, ende janë duke u shqyrtuar

Edhe pse deportimi i gjashtë shtetasve turq krijoi kaos institucional në Kosovë, kjo çështje ende nuk po gjen zgjidhje. Për, po këtë çështje kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefajn dhe shefin e AKI’së, Driton Gashin, dhe dënimi institucional për deportimin e tyre mbeti me kaq.

Tashmë janë bërë 6 muaj që kur ka ndodhur ky skandal. Me këtë rast po merret Prokuroria Speciale, e cila ende thotë se janë në hetime preliminare për këtë çështje.

Në një përgjigje për Gazetën Express, prokurorja e rastit, Habibe Salihu – Statovci, e emëruar prokurore e Speciales në prill të këtij viti, ka thënë se ky rast është në hetimet preliminare, duke mos dhënë përgjigje të mëtutjeshme lidhur me intervistimin e personave.

Pos Prokurorisë, edhe Komisioni parlamentar Hetimor për Gylenistët, po merret me hetimet. Kryetari i këtij Komisionit, deputeti i VV’së Xhelal Sveçla, ka thënë për T7 se për këtë çështje do të intervistohen 22 dëshmitarë. E këta dëshmitarë janë edhe Presidenti, Kryeministri, Drejtori i AKI’së, Drejtori Policisë dhe gjysma e ministrave kosovarë.

“Akterët kryesorë që do të intervistohen janë Ministri i Punëve të Brendshme, Ministri i Punëve të Jashtme, Ministri i Drejtësisë, Ministri i Infrastrukturës, Drejtori i Policisë së Kosovës, Drejtori i AKI’së… për këtë çështje janë deklaruar edhe figurat e tjera si Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, të cilët është dashtë të dinë, ose dinë diçka për këtë çështje”, ka thënë kryetari i Komisionit Hetimor.

“Presidenti patjetër që do të ftohet të japë dëshmi… pastaj kemi edhe autoritetet e Aeroportit, autoritetet e Agjencionit Civil dhe të tjerë”, ka thënë Sveçla.

Por, fillimisht Sveçla tregoi se Komisioni ka nisur punën në korrik të këtij viti dhe iu kanë kërkuar materiale që lidhen me rastin e deportimit të gylenistëve Prokurorisë së Shtetit, Policisë së Kosovë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Aeroportit “Adem Jashari”, Drejtorisë së Aviacionit Civil dhe Kryeministrisë.

“Ne kemi kërkuar që këto institucione të na informojnë lidhur me dëshmitë konkrete për këtë rast, disa nga institucionet kanë ofru dëshmitë e tyre, raporte, informate e te tjerë, por jo të gjitha”, tha Sveçla, shkruan Express.

Ai tregoi se në dorëzimin e materialeve ka dështuar Policia e Kosovës, ndaj së cilës do të bëhet tash një kërkesë e tretë.

Sa i përket dëshmive që i ka në dorë tani Komisioni, kryesuesi thotë se haptazi vërehet që ka pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe të të Drejtave Ndërkombëtare dhe krejt çka ka mbetur, është të shihet se cilat institucione kanë bërë shkelje.

“Në bazë të Ligjit për Hetim parlamentar, institucionet janë të obliguara të na sjellin të gjitha materialet, të gjitha provat e kërkuara. Në rast se institucionet dështojnë apo refuzojnë t’i përmbushin kërkesat tona, ne në bazë të Ligjit për Hetim Parlamentar, do t’i drejtohemi Gjykatës, pasi që dihet se minimi i punës ose kundërshtimi nga ndonjë institucion është vepër penale”, ka sqaruar Xhelal Sveçla.

Kryetari i Komisionit parlamentar Hetimor për Gylenistët gjithashtu ka paralajmëruar se ata që nuk shkojnë të dëshmojnë para Komisionit, do të sillen me dhunë, me vendim gjyqësor.

“Me ligj, të gjithë këta, janë të obliguar të vijnë të dëshmojnë para Komisionit Hetimor për Gylenistët. Nëse ndodhë e kundërta dhe ata nuk vijnë të dëshmojnë, ne do t’i drejtohemi Gjykatës dhe të sillen me dhunë. Ndoshta jo me dhunë të lidhur, por sigurisht me vendim gjyqësor”.

Ai gjithashtu ka thënë se Komisioni ka informata se autoritetet të cilat kanë lajmëruar fluturimin kanë gënjyer institucionet e Kosovës, lidhur me natyrën e fluturimit dhe numrin e udhëtarëve.

“Kemi informata të tjera të cilat na tregojnë se në këtë rast ka pasur edhe shkelje të qëllimshme”, tha Xhelal Sveçla.

E nga ana tjetër, avokati Urim Vokshi, i njërit nga të deportuarit, Yusuf Karabina, ka thënë për Gazetën Express se ankesat e tyre ende po shqyrtohen.

Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina tashmë gjenden në burg në Turqi. E për trajtimin e tyre atje, avokati tha se nuk është i informuar.

“Me sa kam informata prej familjarëve, ata po vazhdojnë të jenë në burg të Turqi. Kurse, për kushtet e tyre atje, nuk jam i informuar”, ka thënë Vokshi për Express.

Ai gjithashtu tregoi se familjet e të deportuarve në Turqi, janë ende në Kosovë.

Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për Gylenistët, Xhelal Sveçla ka deklaruar se pas gjetjeve të komisionit lidhur me këtë çështje, do të përpilohet një raport dhe do t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës, ku me anë të një seance do të diskutohen publikisht edhe gjetjet. Gjithashtu, ai ka thënë se raporti do t’i dorëzohet edhe Prokurorisë.

“Ligji për Hetim Parlamentar thotë se në momentin që Komisioni përpilon raportin, ai i dorëzohet Kuvendit që të debatohet në seancë parlamentare dhe të dalë Kuvendi me vendimet e tij. Në të njëjtën kohë, nëse gjenden shkelje, ne jemi të detyruar t’i drejtohemi edhe Prokurorisë me atë raport, dhe asaj i mbetet t’i iniciojë rastet”, ka sqaruar Sveçla, shkruan Express.

Sipas tij, komisioni ka nisur punën në korrik dhe janë të mandatuar vetëm për katër muaj të kryejnë hetimet, që i bie deri më 15 dhjetor.

Gjashtë gylenistët nga Kosova u dërguan në Turqi më 29 mars përmes një operacioni të MIT-it me Agjencinë Inteligjente të Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas deportimit të gylenistëve në Turqi, shkarkoi ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe urdhëroi shkarkimin e shefit të AKI-së, Driton Gashi.

Por, familjet e gylenistëve që u deportuan, u deklaruan se ndjehen të rrezikuar në Kosovë, për faktin se çdo moment mund të kidnapohen dhe t’i dërgohen shtetit

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here