Euronews shkruan për Ushtrinë e Kosovës: Do të ketë 98 milionë euro buxhet në vit

0
28

Qëllimet e Kosovës për të ndërtuar një ushtri kanë zemëruar Serbinë fqinjë, e cila ka hedhur poshtë idenë e ndërhyrjes ushtarake.

Kështu e nis shkrimin rrjeti televiziv europian, Euronews, duke cituar se në një votim të caktuar për të premten, parlamenti 120-vendësh i Kosovës pritet të miratojë me lehtësi projekt-ligjin e paraqitur nga Qeveria për të kthyer njësinë ekzistuese prej 4,000 vetësh – Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) – në një ushtri të zgjeruar dhe të armatosur lehtë.

Zyrtarët në Prishtinë kanë mohuar pretendimet nga Serbia se qëllimi kryesor i ushtrisë së propozuar do të ishte pastrimi etnik i veriut të Kosovës me serbë, thuhet më tutje.

“Zyrtarët kosovarë thanë se ushtria e re do të jetë në thelb një forcë sigurie që merret me reagimin ndaj krizave dhe operacionet e mbrojtjes civile – në thelb ajo që aktualisht bën FSK-ja”.

“Ata thonë se detyrat kryesore të saj do të ishin operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, asgjësimin e mjeteve shpërthyese, trajtimin e zjarreve dhe materialeve të rrezikshme”, shkruan Euronews.

Ky medium ka cituar nënkolonelin Sylejman Cakaj, një nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës me Serbinë në vitin 1999 – tani një komandant i batalionit në FSK, i ngarkuar me trajnimin e ushtarëve i cili ka thënë se formimi i një ushtrie të re kosovare nuk ka për qëllim të dëmtojë askënd, sidomos serbët në Kosovë, por më tepër t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të bashkohet me misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Cakaj ka bërë të ditur se rreth 4% e FSK-së përbëhen nga serbët etnikë, të cilët gjithashtu do të transferoheshin në Ushtrinë e re të Kosovës.

Sipas Euronews, ushtria e re do të ketë një buxhet vjetor prej 98 milionë eurosh, me 5,000 trupa të armatosur me armë të lehta të këmbësorisë dhe 3,000 rezervistë.

Ndërsa siç thuhet tutje, NATO dhe SHBA kanë ndihmuar në trajnimin e FSK-së aktuale.

“SHBA mbështet formimin e ushtrisë së re, duke filluar me një ndryshim në kushtetutën e vendit, e cila aktualisht nuk bën referencë për një ushtri. Megjithatë, kjo do të kërkonte mbështetje nga ligjvënësit etnik serb, të cilët kundërshtojnë fuqimisht masën”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here