Krimet që tronditën Kosovën. Gra, fëmijë, politikanë e policë u vranë më 2018

0
192

Gjatë vitit 2018 vendi ynë është tronditur jo pak nga krimet e rënda. Përmes armës së zjarrit (shpesh herë pa leje), armëve të ftohta e mjeteve të forta u privuan nga jeta burra, gra, fëmijë e të porsalindur. Janë gjithsej 35 persona që u bënë pjesë e statistikave në listat e të vrarëve nga dora e njeriut. Vrasje të rënda, të dyfishta, me paramendime e aksidentale, u raportuan përgjatë 12 muajve në Kosovë. Shumë nga to ende të pazbardhura

Breshëri plumbash u shkrepën në shumicën e vrasjeve që krijuan pasiguri te qytetarët. Vrasje me thikë, rrahje për vdekje me mjete të forta, montimi i eksplozivit në derë të shtëpisë, vrasja e hajnit në oborr të shtëpisë, pastaj vrasja e policit nga hajni (ky i fundit më pas edhe u vra) në një bankë në Istog,  janë disa nga rastet që i dënoi e gjithë Kosova. Në pritë i dolën dhe e vranë edhe politikanin serb që jetonte e vepronte në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Vrasje ndodhi edhe brenda institucionit më të lartë të sigurisë në vend, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Në 32 raste të vrasjeve të raportuara në Policinë e Kosovës, jetën e humbën 35 persona. 29 femra dhe 6 meshkuj, thuhet në statistikat e policisë dhënë Gazetës Express. Nëntë vrasje janë të regjistruara në rajonin e Prishtinës, shtatë në Gjakovë, gjashtë në Pejë. Në Prizren, Ferizaj e Gjilan nga tri vrasje dhe një në Mitrovicën Veriore.

Plagë vdekjeprurëse iu shkaktuan shumë personave anembanë Kosovës, duke mos i kursyer as të porsalindurit.

Lauresha Maliqi, 32 vjeçe, nga Komuna e Gjakovës, një ditë pasi solli në jetë foshnjën e saj e goditi me gurë duke e lënë të vdekur në vend. Po në këtë komunë, 61-vjeçarit Haxhi Ahmetit në mënyrë shumë profesionale dikush ia mori jetën duke i kurdisur eksploziv në dyert e oborrit.

Një nga krimet më monstruoze që do të mbesë gjatë në memorien e kosovarëve është vrasja e dyfishtë në Brekoc të Gjakovës. Valbonë Marku Nrecaj, bashkë me vajzën e saj të mitur, u qëllua me armë zjarri për vdekje nga ish-bashkëshorti Pjetër Nrecaj, në gusht të vitit 2018.

Valbona Marku Nrecaj, 40 vjeçe, dhe e bija e saj 9 vjeçe, u vranë mbrëmjen e 7 gushtit me breshëri plumbash nga ish-burri i saj, babai i fëmijëve të saj, Pjetër Nrecaj. Viktima dhe i dyshuari kishin muaj që ishin ndarë. Valbona kishte qenë e kërcënuar nga ish-burri. Ajo pak para se të vritej kishte marrë një mesazh nga ai, të cilin e kishte raportuar në polici. “Do të të gjej… do të ta bëj. Tash të pret një dhuratë e bukur..”, kishte qenë mesazhi që Pjetri ia kishte dërguar ish-gruas në telefon.

Gani Bërnjashi, natën e 23 majit, rrahu për vdekje djalin e tij 14-vjeçar në shtëpinë e tyre në Karaqevë të Kamenicës.

Sipas asaj që i akuzuari ka rrëfyer në gjykatë, konflikti kishte nisur kur ai i kishte thënë djalit: “ku i ke lënë ato 1500 euro?”. Më pas i akuzuari tregoi se e kishte rrahur djalin e tij deri në vdekje “duke e humbur edhe veten në momentin kritik”. Tha se lëndimet ia kishte shkaktuar duke e rrahur me zorrë të ujit dhe tëholluese.

Në mëngjesin e ftohtë të 16 janarit, rrugës për të shkuar në punë në pritë i dolën dhe e vranë me armë zjarri liderin e iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Në drejtim të tij u shkrepën katër plumba. Ngjarja ndodhi pranë selisë së zyrës së tij,e tek në nëntor policia i arrestoi katër persona, tre prej të cilëve dyshohet se u përfshinë në vrasjen e rëndë të politikanit serb. Lidhur me rastin, PK-ja po vazhdon kërkimet për ta vënë në pranga edhe Milan Radoiçiq(nënkryetar i Listës Serbe), të cilit iu bastis shtëpia dhe i cili dyshohet se është arratisur në Serbi.

29-vjeçari, Besart Hasani, nga fshati Bibaj i Ferizajt, është vrarë në fund të muajit shkurt pas një mosmarrëveshjeje me anëtarët e familjes Ramadani, nga e njëjta komunë. Ngjarja ka ndodhur në lokalin e këtyre të fundit, në dalje të Ferizajt. Zënka që përfundoi me vrasjen e Besartit dyshohet se ka pasur për motiv një dorëzani për të cilën viktima u detyrohej të dyshuarve, për shkak të një borxhi për veturë.

Blerim Maloku, bashkë me vëllain e tij nga fshati Plloqicë të komunës së Malishevës u vranë në mars të 2018-ës. Dyshohen se u vranë nga dy kushërinjtë e tyre, po ashtu vëllezër mes vete, kur po provonin të vidhnin lopët në ahurin që ishte në pronësi të viktimave.

B.Muharremaj 17 vjeç nga fshati Gjinovc i Suharekës ka humbur jetën pas plagëve të marra me mjet të mprehtë-thikë. Ai nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve që i mori pas një rrahjeje me disa të rinj. Zënka ndodhi gjatë muajit prill në Stacionin e Autobusëve në Suharekë.

Në fund të muajit korrik, trupi i pajetë i Fatlind Arifit, 22-vjeç ishte gjetur 100 metra larg shtëpisë së tij. Ai ishte qëlluar me një plumb në vendin e quajtur ‘Te Lapidari’, në fshatin Bresalc të Gjilanit.

Në fillim të muajit gusht në fshatin Lladrovc të Malishevës ishte gjetur pa shenja jete burri me inicialet S. B. 57-vjeçar.Policia kishte konstatuar se viktima ishte vrarë me armë zjarri në veturën e tij. Për këtë rast, tre muaj më vonë, policia ka arrestuar një grua. N. Rr., 51-vjeçare.

Në fillim të muajit shtator, Valon Ibërdemaj dyshohet se gjuajti me armë drejt kryekuzhinierit në bufenë e AKI-së, Isa Sejdiut, duke e lënë pa shenja jete. Vrasja ndodhi brenda AKI-së, e cila shokoi gjithë Kosovën.

Po këtë muaj, me armë zjarri u vra edhe Kenan Sadrija, 32 vjeçar në qytetin e Pejës.

Pasditen e 23 shtatorit, 29 vjeçari, Agonis Tetaj u vra në vendin e tij të punës në Deçan. Dyshohet se në drejtim të tij u shkrepën plumba nga djali i shefit të tij, Sh.G.

Pak metra larg shtëpisë së tij në Surkish të Podujevës, në tetor të 2018-ës, u vra me armë zjarri Arian Selmani, 30 vjeçar, ndërsa mbeti i plagosur rëndë daja i tij, E.S, 23 vjeçar. Vdekja e hershme e Arianit ua mbylli familjes edhe derën e shtëpisë. Javë më parë shtëpisë dy katesh të tij i ishte vënë dryni, e në dyqanin ku punonte ndodhej një punëtor i ri. Askush nuk i di motivet e vdekjes së shitësit të veshmbathjeve, për këtë rast ende nuk ka asnjë të arrestuar.

Në nëntor, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Halit Zhdrrella 58-vjeç e gjeti vdekjen nga pushka me të cilën e ushtronte pasionin e gjuetisë. Ai u vra aksidentalisht nga nipi i tij, T. Zh., 31 vjeç, në sy të fëmijëve. Ky i fundit kishte qenë duke e pastruar pushkën e gjuetisë.

Diçka e padëgjuar që ndodhi këtë vit në vendin tonë është kur persona të maskuar hynë për të vjedhë në një shtëpi në Veternik të Prishtinës, por njëri nga ta mbet i vdekur pasi u vra me armë zjarri nga pronari i shtëpisë.

Një hajn u vra nga pronari i shtëpisë në Veternik të Prishtinës. Ngjarja ndodhi gjatë muajit nëntor, viktima kishte hyrë për të vjedhë në një shtëpi, por u vra nga pronari i saj. U raportua se arma e pronarit të shtëpisë ishte me leje.

I shtrirë në rrugë dhe pa shenja jete u gjet më 20 dhjetor I.S., 49 vjeçar, në fshatin Kuzhnin të Prizrenit. Përveç lëndimeve trupore e shenjave të dhunës dyshohet se në trupin e viktimës u shkrepën edhe disa plumba. Deri më tani askush nuk është arrestuar për këtë rast.

Rasti më tragjik i muajit dhjetor ishte vrasja e policit në detyrë nga Istogu Izet Demaj. Demaj u qëllua për vdekje nga Kamer Metaj i cili kishte hyrë për plaçkitje në një bankë në Istog. Më pas policia hapi zjarr ndaj hajnit Metaj i cili mbet i vdekur në vendin e ngjarjes.

Viti 2019 u nis me vrasje. Në orët e para të vitit 2019, konkretisht në 00:30, ka ndodhur një tragjedi në një familje nga komuna e Gjilanit. Dyshohet se burri ka vrarë aksidentalisht gruan e tij, përderisa ishte duke festuar me armë Vitin e Ri. Policia tha se burri J. J. (1956) pas ndërrimit të mote moteve kishte dalë para shtëpisë me pushkën e gjuetisë dhe nga pakujdesia ka qëlluar për vdekje bashkëshorten e tij, tani të ndjerë Z.J. (1956).

Në tri vitet e fundit, 2018-a cilësohet si viti me më së shumti vrasje në Kosovë. Policia tha se në vitin 2018 u vranë 35 persona, në vitin 2017 ndodhën 27 vrasje ndërsa në vitin 2016 ndodhën 26 vrasje. /M.Miftari/Gazeta Expres

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here