Kush janë 31 serbët e dyshuar për vrasjen e shqiptarëve në Masakren e Dubravës

0
44

954 të burgosur shqiptarë ishin vendosur në Burgun e Dubravës.  Madje shumë nga ta ishin grumbulluar aty edhe nga burgjet tjera të Serbisë.  E gjithçka duket se kishte ndodhur me një skenar. Qëllimi ishte kryerja e një masakre ndaj shqiptarëve të pambrojtur.

Nga 19 maj deri me 24 të po atij muaji të viti 1999, në këtë vend u ekzekutuan mizorisht 123 shqiptar.

Edhe autorët e këtij krimi nuk janë të panjohur.

Madje për ta Shoqata e të Burgosurve Politik në vitin 2007 ka ngritur një Kallëzim Penal.

Në këtë dokument, janë të rreshtuar emrat e 31 serbëve që kanë marr pjesë në këtë masakër.

Listën e kryeson Aleksandër Rakoqeviq, që atë botë kishte qenë drejtor i Burgut.

Sipas Kallëzimit Penal, ai kishte urdhëruar kryerjen e masakrës.

“Ka urdhëruar Komandantin e Burgut të Dubravës, Miodrag Vidiqin që të përgatisë skenarin e masakrës së burgut të Dubravës që ka filluar të zbatohet me datën 16.05.1999, k urdhëruar, kontrolluar dhe udhëhequr personelin e burgut dhe të burgosurit serb.”

I dyti në listë është renditur Miodrag Vidiq.

Ai që njihej me nofkën “ Miki” ishte komandat i Burgut të Dubravës. K

“Ka zbatuar urdhrat e drejtorit të burgut Aleksandër Rekoqeviq për përgatitjen e skenarit të masakrës së Dubravës, ka përgatitur skenarin e masakrës së Dubravës dhe nga data 16 maj deri me 24 maj 1999 ka urdhëruar gardianët dhe burgosurit serb në burgun e Dubravës, për vrasje, torturim dhe keqtrajtim si k vrarë  vet me dorën e tij.”

Në këtë Kallëzim Penal është përfshirë edhe Branko Komatina, që dyshohet edhe si pjesëmarrës në zhdukjen e Ukshin Hotit. Pos kësaj, bazuar në këtë dokument Branko Komatina kishte ekzekutuar me dorën e tij edhe Rasim Plavën e Shkelzen Pepshin.

E pos strukturës komanduese e gardianëve në kryerjen e kësaj masakre kishin marr pjesë edhe të burgosur serb, që ishin liruar e armatosur në atë kohë.

I tillë është rasti edhe me Boban Bashkoviq.

Ai shihet në foto që nën kërcënimin e armës i detyronte Përparim Efendiun, Ali Gutaën, Napoleon Gutaën dhe Kolë Berishaën, që të bartin kufomat.

Më pas sipas Kallëzimit Penal, që të katërit i kishte ekzekutuar.

Shumë shqiptar duket se kishte vrarë edhe i burgosuri tjetër serb, Ilia Mishkoviq, që ishte nga Çaçaku i Serbisë.

Madje për të ka edhe foto. Tronditëse janë edhe rrëfimet e të mbijetuarve që kanë dhënë deklaratat e tyre në këtë KallëzIM Penal.

Osman Llugaxhiu, kishte rrëfyer se me 21 maj në fushën e sportit ishin ekzekutuar mizorisht shumë shqiptarë, të cilët paraprakisht ishin rreshtuar.

Ai thotë se atë cfarë kishte përjetuar ishte e tmerrshme.

“Gjatë tërheqjes kam parë skena të tmerrshme: njerëz me gjymtyrë ( kokë, këmbë e krah etj) të gjymtuara, në trupin e njeriut kishte eksploduar predha e trombllonit dhe me këtë pamje tmerrohesh.”

Ndërkohë, Sinan Bytyqi tregon se si kishte ndodhur vrasja e shqiptarëve në fushën e sportit. S

“Na kanë thirrur dhe urdhëruar të rreshtohemi. Kërkonin që rreshtat të afrohen sa më afër murit, kinse për të na numëruar. Dhe, vetëm ku i kemi parë me “zola”, trombllone duke gjuajtur drejt neve. Ky është tmerri, që ende, kur më kujtohet, nuk mund të qetësohem.”

Ndërkohë, Haxhi Ukaj, ka rrëfyer se si para syve të tij ishin ekzekutuar dy të burgosur.

“Këtu numëronim minutat e fundit të jetës, pas shumë konsultimesh mes veti të vdekur se të vdekur, filluam të dilnim përjashta. Në oborr të gjithëve na detyruan të ulemi. Në këtë moment një ushtar serb, aty para nesh i pushkatoi dy të burgosur vetëm pse deshi.”

Të gjitha këto por edhe dëshmi të tjera tronditëse janë dorëzuar në ish Gjykatën e Qarkut në Pejë.

Më pas kjo lëndë është marrë nga misioni i EULEX. Por, Nati Hasani thotë se ata nuk bënë asgjë.

Tani kjo lëndë gjendet në mesin e qindra lëndëve të tjera në Prokurorinë Speciale.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here