Kosova kërkon nga Kroacia, Maqedonia e Mali i Zi krijimin e një pakti kundër Serbisë

0
16

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë për të përditshmen kroate “Vecernji List” se në “Kroaci, Maqedoni e Mal të Zi ka biseduar për krijimin e një pakti kundër Serbisë”. Gazeta thotë se taksa prej 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës erdhi pak kohë pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol, e që kjo gazetë e konsideron si “goditje kthimi”. Po ashtu, pjesë e kësaj politike, sipas gazetës, është edhe arrestimi i katër serbëve në veri të vendit të ndërlidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Hoxhaj thotë se si pasojë e politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës, vendi ynë ka ndërmarr këtë veprim për rritje të taksës.

“Serbia vazhdon kampanjën agresive kundër Kosovës në planin ndërkombëtar. Ajo po ashtu minon edhe procesin e normalizimit. Në mënyrë që t’i mbrojmë interesat tona, Qeveria e Kosovës vendosi të rris taksën. Masa të reja do të prezantohen së shpejti”, ka thënë Hoxha për “Vecernji list”.

Sipas Hoxhajt, Serbia “nuk dëshiron të destabilizojë vetëm Kosovën, por tërë rajonin”.

“Të gjithë e kanë të qartë. Kur nuk provokon krizë me Kosovën, atëherë provokon me Kroacinë apo edhe me Maqedoninë e Malin e Zi. Serbia ka raporte të mira vetëm me Republikën Serbe [të Bosnjës] dhe me askënd tjetër. A s’është kjo e çuditshme? Në disa raste, gjatë qëndrimit tim në Kroaci, Maqedoni e Mal të Zi, kam biseduar me krerët e këtyre vendeve për të krijuar një pakt i cili do t’i kundërvihej Serbisë dhe politikës së saj agresive”, tha më tej Hoxhaj.

Ai ka shtuar se “beson që ideja e Serbisë së Madhe nuk ka vdekur dhe ende është në ajër”.

“BE-ja dhe SHBA-ja duhet të kuptojnë se në ç’drejtim është duke shkuar Ballkani dhe si do të jetë pas dhjetë vjetësh. Veçanërisht Bosnja e Hercegovina, Kosova e Maqedonia. Nëse BE-ja dhe Perëndimi nuk e kuptojnë rrezikun e politikës së rrezikshme serbe në këtë pjesë të Ballkanit dhe nuk ndërmarrin asgjë rreth përshpejtimit të procesit të eurointegrimit të këtyre vendeve, askush s’e di çfarë do të ndodhë me Kosovën, Maqedoninë, e më së shumti me Bosnjën”, deklaroi zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Sipas tij, “fatkeqësisht, BE-ja po e lexon gabimisht gjendjen në rajon”.

“Serbia asnjëherë nuk ka hequr dorë nga bashkimi i Republikës Serbe me Serbinë. Këtë në disa raste e kanë deklaruar edhe zyrtarët e saj të lartë. Për dallim nga Bosnja, Kosova është larg pozicionit të saj sepse 90 për qind e banorëve në Kosovë janë shqiptarë. Kemi alternativë sepse shtet fqinj e kemi Shqipërinë. Nëse dikush mendon se po luan lojë të ndyrë rajonale, duhet ta kuptojë se ne më nuk jemi të dobët. Ajo që Aleksandar Vuçiqi po luan rreth demarkacionit dhe shkëmbimit të territoreve, qëllimi i tij nuk është Kosova, por Bosnja, rrjedhimisht Republika Serbe”, tha më tej Hoxhaj.

Ai thotë se kur “Vuçiqi flet për veriun e Kosovës, mendon për Republikën Serbe”.

“Republika Serbe është dy-tri herë më e madhe se Kosova dhe ekonomikisht është më e fuqishme se Kosova. Në veri të Kosovës jetojnë 30.000 serbë, në tërë territorin e Kosovës nuk ka më shumë se 70 mijë serbë, ndërsa në Republikën Serbe jetojnë rreth 1.5 deri në 2 milionë serbë. Demarkacioni, rrjedhimisht shkëmbimi i territoreve, do të hapte Kutinë e Pandorës dhe Vuçiqi do t’ia bashkëngjiste Serbisë Republikën Serbe. Për këtë arsye të gjithë ne në rajon duhet të jemi të kujdesshëm dhe të bashkëpunojmë”, deklaroi Hoxhaj në këtë bisedë për “Vecernji List” të Kroacisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se këtë porosi ua ka dhënë edhe presidentit dhe kryeministres së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviqit, gjegjësisht Andrej Plenkoviqit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here