Zeka e Demaliaj prapa grilave, koalicioni aktualisht me dy deputetë minus

0
50

Dy deputetë të pozitës janë arrestuar brenda 24 orëve. Të dy për kërcënime të prokurorëve specialë që kanë ngritur aktakuzë ndaj tyre. Kjo koalicionit po i ndodhë në kohën kur po ka telashe me numra. E pikërisht sot Isa Mustafa tha se në koordinim me partitë e opozitës do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë, por mocioni sipas tij në Kuvend do të paraqitet kur të sigurohen 61 vota.

Koalicioni qeverisës qe një kohë të gjatë nuk e ka shumicën në kuvend. Pesëdhjetenëntë është numri i deputetëve që llogaritët se ka pasur së fundmi pozita.

Dy deputetë, Milaim Zeka i Nismës Social Demokrate dhe Shkumbin Demaliaj nga radhët e AAK’së, janë arrestuar brenda dy ditësh, shkruan Gazeta Express.

Zekës, që përballet me aktakuzë për rastin e vizave ka thënë fjalë të ashpra ndaj prokurorit që po e ndjek, i është shqiptuar masa prej 1 muaji paraburgim.  Ndërsa Demaliaj sot është ndaluar për 48 orë pasi po e fajëson Elez Blakajn pse babai i tij,  tashmë i ndjerë, ndodhet, në listën e veteranëve të rrejshëm. Ndaj Demaliajt është ngritur aktakuzë për fryrje të listave bashkë me 11 zyrtarë tjerë. Kësisoj koalicioni qeveritar – edhe ashtu i brishtë – tash për tash është me minus dy deputetë.

E pikërisht sot kreu i LDK’së opozitare Isa Mustafa ka folur për një mocion për rrëzimin e qeverisë.

“Janë në zhvillim e sipër aktivitetet me partitë opozitare dhe me të tjerët. Mirëpo, ne do t’i mbledhim nënshkrimet, do ta bëjmë tekstin e mocionit duke u koordinuar me partnerët tanë të opozitës dhe tjerët, në momentin kur jemi të sigurt që kemi jo vetëm 61, por edhe mbi 61 vota, në mënyrë që të mos sfidohemi në Kuvend ne pastaj do ta paraqesim mocionin në Kuvend” ka thënë Mustafa.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dhënë urdhërndalim për Zekën pas një deklarate të deputetit në emisionin “DPT te Fidani”.

Prokuroria i ka cilësuar si kanosje fjalët e Zekës për prokurorin special, Afrim Shefkiu, i cili ka ngritur aktakuzë për rastin e mashtrimeve me viza dhe deputeti Zeka akuzohet se ka qenë i përfshirë në të.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tem me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë Zeka.

Ndërsa gjatë ditës Gazeta Express raportoi se deputeti Demaliaj është parë pranë një nga stacioneve të Prishtinës.

Pak çaste më vonë, zëvendësprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinë, Ibrahim Berisha, konfirmoi për Expressin se deputeti Demaliaj është arrestuar.

Demaliaj gjatë një interviste në televizionin publik ka kërcënuar ish-prokurorin special Elez Blakaj se do të merret privatisht me të.

Blakaj ka hetuar rastin me mashtrimet në listat e veteranëve dhe ka bërë gati pak para dorëheqjes aktakuzën.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here