Pas votimit të ushtrisë, kuvendi duhet të marrë përgjegjësitë në dialog

0
9

Kjo e enjte ngjalli një fije shprese për të ardhmen e shtetit tonë. Si asnjëherë më parë partitë politike shqiptare u panë të bashkuara për votimin e 3 projektligjeve për ndryshimin e ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Të gjithë deputetët shqiptarë, njëzëri i thanë po projektligjeve që konsiderohen si nismë për bërjen e ushtrisë së shtetit.

Ky unitet, tregon se partitë politike kur duan dhe kur bëhet fjalë për cështje madhore, nuk veprojnë krye më vete dhe nuk veprojnë në bazë të inateve partiake.

Të njëjtin qëndrim, partive politike nuk u kushton asgjë, që ta kenë edhe në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Në raste të rralla, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë parë kaq të bashkuar..

Shteti bëhet vetëm në këtë mënyrë. Partitë politike e kanë pasur disa herë rastin që të bëhen bashkë kundër apetiteve të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës. Një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Për më tepër, ato kanë treguar shpeshherë se janë tërësisht të varura nga partia e deleguar e Serbisë, në Kuvendin e Kosovës, Lista serbe.

Po të kishte unitet ndërmjet partive politike, kriminelët serbë nuk do të ishin pjesë e institucioneve të Kosovës.

Deputetë e ish deputetë të Kuvendit të Kosovës, votuan ligjin që amnistonte këta kriminelë, duke i inkuadruar ata nëpër institucione, duke i bërë policë e gjyqtarë.

Të njëjtit deputetë, nuk e përkrahën nismën që në kategoritë e dala nga lufta të bëjnë pjesë edhe viktimat e dhunës seksuale.

Ata vunë interesat partiake para 20 mijë viktimave të dhunuara seksualisht. Kërkuan edhe ekzaminim mjekësorë për këto viktima, hap ky që për to do të thoshte “dhunim” për së dyti.

Shumica prej tyre, u panë tek derdhnin lot për rastin e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi, duke harruar për gjithë këto vite, nuk i dhanë mbështetjen që i nevojitej.

E për t`i “rregulluar” dëmet që ia bënë shtetit për vite me radhë, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sikurse për votimin e ushtrisë do të duhej të bëheshin një edhe sa i përket denoncimit të krimeve të luftës.

Serbia duhet të kërkojë falje dhe të dënohet për krimet në Kosovë. Deputetët duhet të bëhen zëri i popullit dhe me çdo kusht të kërkojnë llogari shtetërore nga Serbia për krimet e luftës, masakrat, dhunimet dhe persekutimet e civilëve të pafajshëm.

Mbi të gjitha, këta deputetë duhet të dalin mbi “diplomacinë” e tepruar të Presidentit Thaçi, i cili padinë ndaj Serbisë për krime të luftës e ka lënë në harresë, dhe tash po hedhë ide utopike për korrigjim të kufijve me Serbinë.

Bashkimi bën fuqinë, ushtria u bë, tani e ka radhën uniteti për dialogun me Serbinë, i cili është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here