Kryetari Bahtiri takoi ministrin e Jashtëm të Sllovakisë njëherit edhe kryesuesin e OSBE-së, Miroslav Lajćak

0
172

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari, Faruk Mujka, zhvilloi një takim me kryesuesin e radhës të OSBE-së dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës Sllovake, Miroslav Lajčák, si dhe shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe një delegacion i gjerë nga Republika Sllovake në Prishtinë si Oksana Tomová, drejtoreshë e përgjithshme e OSBE-së në Sllovaki, Rastislav Kostilník, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës Sllovake në Prishtinë, Boris Gandel, zëdhënës i ministrit, Katharina Kandt, nga kabineti i ministrit.

Kryesuesi Lajčák gjatë këtij takimi ofroi mbështetjen e misionit të OSBE-së për institucionet e Kosovës duke theksuar se përkrahja politike e fortë në të gjitha nivelet është shumë e rëndësishme.

Në anën tjetër, kryetari Bahtiri e vlerësoi si shumë të rëndësishëm kontributin e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe e çmoi lartë ndihmën e miqve ndërkombëtar dhënë Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike. Ai më tutje e ka njoftuar kryesuesin e OSBE-së, z. Lajčák për situatën politike dhe zhvillimet aktuale në Mitrovicë dhe vend.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i tha kryesuesit z. Lajčák se kur ka ardhur në krye të komunës, Mitrovicën e ka gjetur në një gjendje pothuaj të jashtëzakonshme, me situatë shumë të tensionuar, liri të kufizuar të lëvizjes së qytetarëve e mallrave, tela gjemborë, barrikada në urën kryesore, krim të organizuar e kontrabandë, pa zhvillim ekonomik e shumë probleme të tjera që e rëndonin jetën e qytetarëve, si në jug ashtu edhe veri të lumit Ibër.

“Gjatë udhëheqjes sime, së bashku me të gjithë qytetarët e vullnetit të mirë, kemi punuar shumë për tejkalimin e këtyre problemeve, në ç’drejtim edhe kemi arritur suksese të lakmueshme. Dhe lirisht mund të ju them se sot Mitrovica është njëra nga komunat më të sigurta në Kosovë, me lëvizje të lirë për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike, pa barrikada, pa tela gjemborë, me rënie të madhe të krimit të organizuar e propagandës, me rënie drastike të incidenteve ndëretnike, pasi që nga koha sa unë jam kryetar, janë shënuar vetëm shtatë incidente”, tha ai.

Po ashtu kryetari Bahtiri gjatë këtij takimi ka bërë të ditur se pas shumë viteve jetes në Holandë, dhe si njohës i mirë i fushës së biznesit është kthyer në vendlindje për të siguruar tek qytetarët paqe dhe zhvillim ekonomikë, duke realizuar takime të shumta edhe me z.Goran Rakiq i cili nuk ka treguar bashkëpunim të mirëfilltë që të ju ofrojë jetesë të barabartë që të dy komuniteteve.

Ai shprehu shqetësimet e tij lidhur me ndërtimin e banesave kolektive për pjesëtarët e komunitetit serb duke theksuar se nga pjesa veriore e Mitrovicës janë zhvendosur mbi 15 mijë shqiptarë, ku shumica prej tyre edhe sot e kësaj dite nuk kanë mundur të kthehen në pronat e tyre.

Kryetari Bahtiri gjithashtu ka potencuar se është shumë e rëndësishmë njohja e Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, andaj shpreson që sa më shpejtë Sllovakia ta njohë shtetin e Kosovës.

Kyesuesi Lajčák ka përgëzuar punën e kryetarit Bahtiri, transparencën e tij në ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytatarët pa dallim etnie, si dhe ka ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Misionit të OSBE-së për vendin tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here