Sot në Mitrovicë u bë ceremonia e hapjes së qendrës tregtare “Lux Mall”

0
32

Qendra Tregtare “Lux Mall” solli në Mitrovicë edhe 30 brende të njohura evropiane

Sot në Mitrovicë është bërë ceremonia e hapjes së qendrës tregtare “Lux Mall” në të cilën tani e tutje do të jenë pjesë edhe 30 brende tjera të njohura evropiane.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, zv. ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Gjergj Beka, drejtori i Arsimit, Iset Beka, drejtori i Urbanizimit, Besnik Beka, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Tafil Peci, drejtori i Prokurimit, Bekim Muja, përfaqësues nga institucionet qendrore, zyrtarë tjerë komunal si dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.

Në fjalën e tij nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, tha se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar që është në inaugurimin dhe përurimin e një qendre tregtare të madhe si Lux Mall e cila ka qenë mjaft e nevojshme për qytetin tonë.

“Me siguri që ky investim i madh është realizim i ëndrrës së familjes Bashota, por realizim edhe i komunës së Mitrovicës, sepse në këtë mënyrë po nxisim zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Mitrovica është një qytet i sigurt ku ja vlen të investohet, dhe me siguri që kjo qendër tregtare është një vlerë e shtuar për qytetin tonë, në këtë mënyrë po e rikthejmë Mitrovicën e mëhershme e cila ka qenë çdoherë qendër e bizneseve, e arsimit, e sportit, e muzikës. Këto të mira të komunës dhe të afaristëve kërkoj që ti shfrytëzojnë edhe banorët e veriut sepse ata janë të barabartë dhe duhet të kryejnë shërbimet në të gjithë qytetin e Mitrovicës”, tha ndër të tjera nënkryetari Mujka.

Po ashtu nënkryetari Mujka, theksoi se dje në seancën e Kuvendit Komunal është miratuar një draft- rregullore e cila ka për qëllim të liroj të gjitha bizneset e vogla në Mitrovicë për taksa komunale, në mënyrë që të depërtojnë më lehtë dhe të zhvillohen më tutje.

Ndërsa pronari i Qendrës Tregtare “Lux Mall”, Faik Bashota, falënderoi nënkryetarin Faruk Mujka, zyrtarët tjerë komunal, si dhe pjesëmarrësit tjerë të cilët kanë marrë pjesë në funksionalizimin e plotë të qendrës së parë tregtare në Qytetin e Mitrovicës.

“ Duke e parë mungesën e një qendre të tillë në qytetin e Mitrovicës, e kemi parë të arsyeshme që ne të investojmë edhe këtu dhe mitrovicasit të kenë mundësi të kryejnë shërbimet në vendin e tyre pa pasur nevojë që të orientohen tek qytete tjera”, tha ndër të tjerash Bashota.

Në qendrën e parë tregtare në Mitrovicë ”Lux Mall” tashmë janë pjesë brende të njohura si Neptun, Lc Waikiki, A&M, Jumbo, Miniso, Ias, Kom, Penti, Globaly, SportVision, Egar, PlayPark, Dilvin, Missini e shumë kompani tjera elitare të cilat mund të shërbejnë për të gjithë qytetarët.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here