Vrasja e gruas dhe vajzës në Gjakovë, i dyshuari sot del para Gjykatës

0
6

 

Sot Pjeter Nrecaj do të dalë para Gjykatës në Gjakovë për t’u përgjigjur rreth aktakuzës, e cila e ngarkon për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij në Brekoc të Gjakovës.

Për nesër është paraparë të zhvillohet seanca fillestare e gjykimit.

Seanca do të drejtohet nga gjyqtari Gëzim Pozhegu.

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Pjetër Nrecaj për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton kallxo.com.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Pjetër Nrecaj se kishte shkuar në shtëpinë e vëllezërve të bashkëshortes së tij i armatosur, ku dhe kishte qëlluar me pushkë automatike në drejtim të bashkëshortes dhe vajzës së tij. Të njëjtat nga plagët e marra kanë ndërruar jetë.

Në seancën gjyqësore për caktimin e masës së paraburgimit, pas pretendimeve të prokurorit Agron Matjani, të akuzuarit Pjetër Nrecaj iu kishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe seanca ishte improvizuar në spital.

Në deklaratën e tij, Nrecaj kishte thënë që i vjen keq për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij, duke mohuar se ka pasur për qëllim kryerjen e vrasjes.

Gjatë fazës së hetimeve, i dyshuari Nrecaj kishte refuzuar të flasë në Prokurori, duke e kushtëzuar deklaratën e tij me një takim me fëmijët e tij.

Ndonëse ndaj tij me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake Shaqir Zika ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, për vrasjen e Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj ka pasur protesta thuajse në të gjitha qytetet e Kosovës.

Më pas Gjykata e Gjakovës, me kërkesën e Prokurorisë kishte vazhduar për dy muaj masën e paraburgimit për Pjetër Nrecajn, duke e lënë në paraburgim deri më 5 nëntor.
Prokurori Agron Matjani, në pretendimet e tij kishte thënë se ekzistojnë të gjitha arsyet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit, duke marrë parasysh se lartësia e dënimit për këtë vepër është jo më pak se 10 vjet burgim apo burgim të përjetshëm.
Tutje, Prokuroria me 26 Shtator ka ngritur aktakuzë ndaj Nrecajt, duke dhënë versionin e saj për tragjedinë e 7 gushtit në Brekoc të Gjakovës.

40-vjeçarja Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9-vjeçare, u qëlluan për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit.

Aktakuza shpjegon fillesat e konfliktit të çiftit, e deri te vrasja që tronditi jo vetëm Gjakovën.

I dyshuari Pjetër kishte shkuar në familjen e Valbonës, me qëllim që të pajtohej me të, mirëpo marrëveshja e pajtimit mes tyre nuk ishte arritur dhe ai kishte nisur ta kërcënonte përmes mesazheve telefonike tani të ndjerën Valbona, thuhet në aktakuzë.
Në lidhje me këtë rast, familja e të ndjerës Valbona kishte shprehur dyshime në punën e Policisë, duke thënë që nuk kanë vepruar si duhet.

Sipas një njoftimi te dhënë Inspektorati Policor i Kosovës, kishte thënë që zyrtarët policorë e kishin trajtuar rastin si duhet, por Prokuroria ishte ajo që nuk kishte kërkuar veprime shtesë nga Policia dhe kështu kishin nisur hetimet edhe për punën e zyrtarëve policorë.

Bëhet e ditur tashmë se çifti kishte pasur probleme edhe më herët, ku i dyshuari Pjetër ishte akuzuar edhe për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.

Ky rast i dhunës në familje, ishte raportuar në maj të këtij viti dhe Nrecaj kishte qëndruar për një muaj në paraburgim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here