VV: Thaçi po synon ta shkatërrojë KQZ-në

0
11

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media kanë kritikuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për mos emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor si dhe degradimin që i ka bërë këtij institucioni duke emëruar anëtarë të partive të tjera në mënyrë të paligjshme.

Deputeti nga kjo parti, Xhelal Sveçla , kritikoi ashpër Thaçin duke thënë se ai ka devalvuar gjithçka rreth tij.

“Për më shumë se një vit e gjysmë KQZ u bllokua dhe u mbajt peng nga Hashim Thaçi. Fillimisht duke shkelur Kushtetutën dhe duke mos i emëruar anëtarët e KQZ-së në afatin e përcaktuar brenda 60 ditëve nga certifikimi i zgjedhjeve të 11 qershorit, pastaj me zvarritje përmes kërkesës kinse për sqarim nga Gjykata Kushtetuese për diçka që ishte e qartë dhe e sqaruar paraprakisht”.

“Kurse pas përfundimit të këtyre skenarëve të bllokimit po synon ta degradojë KQZ-në deri në rrënim përmes emërimit të anëtarëve të KQZ-së në kundërshtim me Kushtetutën, praktikën e deritanishme, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare për trupat e anëtarëve të zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i rëndësishëm kushtetues dhe i pavarur, ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e të cilit është parakusht për garantimin e paanshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve”

Sveçla ka pasur edhe akuza për partitë opozitare që duke synuar vende në KQZ po i nënshtrohen presidentit.

“KQZ ka nevojë për t’u ndihmuar dhe përmirësuar dhe jo për t’u bllokuar dhe degraduar. Si institucion i rëndësishëm në vend ai nuk mund të përdoret për pazare të politikës ditore apo interesa personale a grupore. Një pakicë qeveritare a politike po përpiqet artificialisht të bëhet shumicë në KQZ, ndërsa një president pa legjitimitet dhe i devalvuar po synon të devalvojë gjithçka rreth tij. A i po përpiqet përditë dhe kudo të shkatërrojë gjithçka shtetërore”.

Po aq e zëshme kundër presidentit Thaçi foli edhe deputetja Albulena Haxhiu e cila tha se veprimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ligjet.

“Në bazë të ligjit për zgjedhje të përgjithshme në Kosovë mandati i anëtarëve të KQZ-së të zgjedhjeve fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve duke reflektuar kështu rezultatin e zgjedhjeve. Ndërkaq, Kushtetuta kërkon që përbërja e KQZ-së të reflektojë përfaqësimin politik të grupeve parlamentare të dala në zgjedhjet e 11 qershorit”.

Haxhiu tha se KQZ-ja duhet të kishte përbërjen e re qysh vitin e kaluar ndërkaq ka kritikuar edhe partitë e opozitës se për shkak të interesave të tyre po bëhen përkrahës së Thaçit.

“Kjo e degradon Kuvendin e Republikës si dhe ligjshmërinë, por për këtë nuk po i bëhet vonë Hashim Thaçit. Ai nuk mund ta përdorë zyrën e presidentin që t’ia mohojë të drejtën opozitës që ia ka dhënë votuesi”.

VV-ja ka nominuar Adnan Rrustemin dhe Nazlije Balën për përfaqësues të tyre në KQZ dhe kanë kërkuar nga presidenti që sa më parë të konfirmojë këta dy.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here